Kriteri I Leibnizit

Text
Read preview
Mark as finished
How to read the book after purchase
Font:Smaller АаLarger Aa

Në laborator ra një qetësi varri.

Ishte sikur acari i një errësire më të thellë që njeriu mund të imagjinonte kishte rënë mbi ta, dhe kishte kristalizuar mendjet e tyre dhe ndërgjegjet e tyre.

Novak mbeti në këmbë afër dërrasës së zezë, me shkumësin në dorë.

Kaloi një minutë e tërë pa lëvizur asnjë muskul askush prej tyre, pastaj Kobayashi iu afrua dërrasës, morri një shkumës dhe bëri disa llogaritje në një pjesë akoma të lirë të sipërfaqes së zdrukuar.

<Jo.> tha në fund. <Nuk mund të jetë kështu. Funksioni i treshes së transferimit tregon që fuqia rritet vetëm me kubin e largësisë, pavarësisht nga vëllimi i hapësirës së shkëmbyer. Duke hamendësuar pra të mbajmë konstant këtë vëllim, ajo do përcaktojë edhe sa ‘Hiç’ do të thithë energjia që fusim në eksperiment, ndërkohë që dy hapësirat udhëtojnë drejt destinacionit të tyre të ri. Nuk shikoj përse duke rritur largësinë e shkëmbimit dhe duke mbajtur fiks vëllimin, Hiçi do duhej të rriste aftësinë e tij të thithjes.>

Novak e pa me sytë të shqyer, duke reflektuar me inat.

Pas disa sekondave të pafundme u drithërua dukshëm, duke u zverdhur akoma më shumë.

<Jo... jo... është çmenduri, e pakonceptueshme.> belbëzoi. <Nuk mund të jetë.>

<Ç’farë, profesoreshë Novak?> pyeti i alarmuar Kobayashi.

<Ky!> dhe Novak tregoi Lidhësin e vizatuar në dërrasën e zezë.

Të tjerët po e shikonin me budallallëk.

<Po nuk e kuptoni?> bërtiti. <Është drejtpërsëdrejti Hiçi ai që po deformojmë! Lidhësi formohet në Hiç! Është formuar nga Hiçi! Hapësira A hyn në Hiç dhe rishfaqet në vendin e hapësirës B, i cili përfundon në vendin e hapësirës A duke kaluar nga Hiçi!>

Kjo gjë i futi të pranishmit në çorientim total. Ishte sikur nuk kishin tokë poshtë këmbëve. Sikur të gjitha siguritë, të gjitha bazat mbi të cilat kishin ndërtuar njohuritë e tyre të ishin zhdukur, papritur.

<Po si mundet... si mundet që diçka që ekziston...> guxoi Drew <... diçka që ekziston... të hyjë në Hiç, duke pushuar kështu së ekzistuari, dhe të rishfaqet nga Hiçi, duke filluar të ekzistojë me të njëjtat veti fillestare, edhe pse në një vend tjetër?>

Novak vuri një dorë mbi ballë dhe u mbështet tëk dërrasa e zezë. Dukej sikur i rrotullohej koka. Maoko iu afrua dhe e kapi nga krahu, duke e çuar të ulej mbi karrigen më të afërt. Shkoi ti merrte një gotë uji, që norvegjezja e pranoi me një shikim mirënjohës.

<Kjo është një çështje thjesht filozofike.> iu përgjigj Novak Drew-së, me zë të ulët, të fikur, ndërsa pinte. <Ose më mirë, do të ishte një çështje thjesht filozofike nëse nuk do të kishim përballë një manifestim eksperimental të manipulimit të Hiçit. Hiçi nuk ekziston, dhe nuk mund të jetë as i përcaktuar, përndryshe përcaktimi vetë do ta bënte të pushonte së qënuri Hiçin. Dhe ne po e manipulojmë. Ndjej që është kështu. Nuk shikoj zgjidhje të tjera. Duke u rritur largësia e shkëmbimit rritet edhe gjatësia e Lidhësit të ndërtuar nga Hiçi dhe bërë me Hiç. Pasiqë Hiçi dukshëm thith me efikasitet maksimal energjinë që i jepet hua, rrjedh që është Lidhësi vetë që gllabëron gjithë atë energji. Duke u rritur gjatësia e Lidhësit rritet edhe në mënyrë të pashmangshme energjia e nevojshme për ta gjeneruar dhe mbajtur për kohën e Plankut. Lidhësi

kryen shkëmbimin, këtë po, por me një çmim të paarritshëm mbi largësitë e konsideruara.>

Përsëri qetësi, por këtë herë mbi fytyrat e Drew-së, Schultzit, Kamaranda-s, Marronit dhe Kobayashit lexohej qartazi admirimi për intuitën gjeniale të Novak-ut. Kishin parë që mendja e asaj gruaje shikonte atje ku ata nuk mund të shihnin, dhe arrinte atje ku mendja e tyre nuk mund të arrinte. Në të njëjtën kohë fytyrat e tyre shprehnin edhe dëshpërimin për humbjen që ajo intuitë dekretonte, për pengesat e pakapërcyeshme që përcaktonin.

<Është çmenduri... çmenduri fare...> mërmëriste Schultz duke tundur kokën në shenjë mohimi.

Kaluan kështu disa minuta, pastaj, me gjakftohtësi dhe jo me pakujdesi, Maoko shkoi të ulej në këndin e banakut, afër Novak që ishte e ulur. E pa nga lart poshtë dhe i foli me ton miqësor, duke habitur të pranishmit që më parë as nuk e kishin vënë re gotën e ujit që i kishte afruar.

<Profesoreshë Novak, dizertacioni juaj tregon që nuk ka zgjidhje të praktikueshme për problemin e shtruar, pasi universi ynë është një sistem i izoluar dhe makineria në thelb shkarkon energji jashtë këtij sistemi, duke ndryshuar bilancin energjitik.>

Novak pohoi me ngadalë.

<Por nëse në vend se të konsiderojmë universin tonë një sistem të izoluar ta konsideronim thjesht një sistem të mbyllur20, vendosur në brendësi të një sistemi më të madh, nuk beson që do mundemi të studiojmë më lehtësisht sjelljen?>

Novak pa Maokon me sy të shqyer, e habitur.

Askush nuk guxonte të fliste, duke parë madhësinë e kësaj hipoteze.

Por, pas disa çastesh, Schultz u ngrit me ballin e rrudhur dhe shkoi tek dërrasa e zezë duke marrë me vete letër dhe laps. Rikopjoi mbi një fletë të gjitha ekuacionet kryesore, pastaj fshiu plotësisht planin e zdrukuar.

Filloi të shkruajë me tërbim me shkumës, duke nisur nga ekuacionet themelore të termodinamikës dhe duke i zëvendësuar pastaj faktorët me pjesë të marra nga rezultatet e teorisë së tyre.

Drew dhe Marron shkurt qenë pranë tij t’i jepnin një dorë, ndërsa Kamaranda pas shpatullave të tyre rrinte i kujdesshëm ndaj korrektësisë formale të atij zhvillimi matematikor. Kobayashi vëzhgonte i përqëndruar dërrasën, mbi të cilën po merrte formë një konceptim i ri, tronditës i universit.

Asnjëri nuk pa që, akoma e ulur mbi banakun pak metra më mbrapa, Maoko kalonte me delikatesë dorën e saj të vogël nëpër flokët e verdhë të Novak, duke e përkëdhelur.

Kapitulli XIV

Në dy të pasdites profesoreshë Bryce hyri në laborator duke sjellë një kuti nga e cila herë pas here vinin zhurma të papritura.

E vuri re se asnjë nuk kishte lëvizur nga aty, askush nuk kishte shkuar akoma të hante. Disa tek dërrasa e zezë ribënin ekuacione dhe korrigjonin grafikët, të tjerë tek banakët e lirë shkruanin nxitimthi mbi fleta letrash dhe bënin llogaritje duke u ndihmuar me makinë llogaritëse. Herë pas here ndonjë konsultohej me dispensën e makinerisë, nxirrte një numër dhe e fuste në ekuacionet e veta, pastaj zhvillonte hapat vijues.

Bryce vendosi kutinë në një raft dhe u ul në një kënd, në pritje. Duhej të ishte një fazë vendimtare, e kuptonte nga furia me të cilën kolegët e saj punonin dhe nga fytyrat e tyre të hequra nga përqëndrimi maksimal dhe impenjimi.

Kamaranda ishte në një banak, i përkulur mbi një fletë. Mbaroi hapin e fundit dhe shkruajti rezultatin pas barazimit. I dha një kalim të shpejtë edhe një herë zhvillimit dhe pohoi, pastaj u ngrit dhe shkoi tek Schultz me fletën.

<Entropia është 415J/K21.>

Schultz e çoi vlerën në një funksion, në dërrasë të zezë.

<Kobayashi, e ke energjinë?>

Japonezi ishte duke mbaruar së zgjidhuri një integral goxha të vështirë. Ngriti një dorë për të treguar të priste një moment, ndërkaq që fuste vlera në makinën llogaritëse. Kreu llogaritjet e fundit dhe shkruajti rezultatin në fletë. Kontrolloi përsëri një çast dhe iu duk gjithçka e saktë.

<163000J22.> deklaroi.

Schultz futi edhe atë vlerë, dhe ndërkohë Drew i solli rezultatin e punës së tij dhe Marronit.

<Konsidero një trashësi të shtresës të barabartë me dy miliardë vite-dritë. Është përafrimi më i mirë që mund të të japim, për momentin.>

Gjermani shkruajti numrin në ekuacion afër vizatimit të stilizuar të një sfere të veshur nga një guackë koncentrike.

Novak ishte tek dërrasa e zezë me Schultzin dhe filloi të zhvillonte ekuacionet me të dhënat e sapo shtuara.

Nga një banak Maoko u ngrit rrëzëllitëse dhe shkoi tek dërrasa me dispensën në një dorë dhe shënimet e saj në tjetrën. Me gisht tregoi një tabelë në dispensë.

<Ka! Është parametri R6!> deklaroi triumfuese. <Duhet mbajtur deri në 190 mikrovolt.>

Schultz shkruajti 190*10-6 në vend të x në një formulë dhe bëri llogaritë. Priti pastaj Novak-un, që arriti shpejt në fund të llogarive të saj dhe gjeti disa rezultate. Schultz i përdori menjëherë së bashku me të vetat, në një ekuacion të ri.

Punoi si në ethe për disa minuta, i vëzhguar nga kolegët.

Arriti në hapin përfundimtar dhe hezitoi.

Ekuacioni tashmë ishte pakësuar në pak faktorë, dhe ai ishte thuajse i frikësuar të bënte hapin e fundit dhe të njihte rezultatin.

Fshiu sytë e skuqur dhe me rrathë të zinj, morri frymë thellë dhe zgjidhi hapin.

Ndaloi të shikonte numrin e fundit që kishte shkruar në të djathë të barazimit, sikur nuk po e shihte në të vërtetë.

Nuk mund ta besonte.

Po ishte pikërisht kështu.

Novak pohonte, e ndjekur nga Kamaranda dhe Drew. Maoko dhe Kobayashi po i buzëqeshnin njëri-tjetrit, duke parë herë dërrasën herë kolegët. Marron u mbështet në një banak, i sfilitur.

<Sistemi termodinamik rezulton në ekuilibër.> njoftoi Schultz me qëllim thjesht formal. <Duke e konsideruar universin si një sistem termodinamik të mbyllur, vendosur në brendësi të një shtrese me trashësi dy miliardë vite-dritë, dhe duke rregulluar përshtatshmërisht parametrin R6 të identifikuar nga zonjusha Yamazaki, mund të kalibrojmë treshen e transferimit në mënyrë që të shkëmbejmë vëllimet e hapësirës nga këtu dhe çdo pikë e universit të njohur, me zgjidhjen e paraqitur nga gjatësia e Plankut. Vëllimi i shkëmbyer tani hyn në ekuacion, ndryshe nga më parë, por tani fuqia maksimale e nevojshme për shkëmbimin e një vëllimi të barabartë me një metër kub, në një largësi prej 10 miliardë vite-dritë, është 5 gigawatt. Një fuqi e konsiderueshme, sigurisht, dhe që kërkon një çentral elektrik të posaçëm, kuptohet, por të përdorshëm.>

 

Profesoreshë Bryce u afrua.

<Mund të di ç’farë ka ndodhur?>

<Kemi rikonfiguruar konceptin e universit.> tha Drew me zërin të mbushur me emocion. <Funksionimi i veçantë i makinerisë së shkëmbimit na ka çuar në evoluimin e modelit mbi të cilin shkenca është mbështetur deri tani. Tani e tutje, sistemi termodinamik për t’u marrë parasysh do jetë i përbërë nga një mbështjellje e dendur në brendësi të së cilës është universi ynë, ai i njohuri. Mbështjellësi dhe universi ynë mund të shkëmbejnë energji në dy drejtime, duke mbajtur bilancin energjitik kostant. Ligji i ruajtjes së energjisë respektohet, me një model të këtij lloji. Në këtë model mbështjellja është një metaforë e thjeshtë që lejon administrimin e termodinamikës së gjithë sistemit, dhe vënies në funksionim të saj. Ndërsa, nga pikëpamja hapësiro-kohore, nuk konsiderohet si një entitet fizik, si një guackë dua të them, pasi në realitet është e lidhur në nivel dimensional me shtresën hapësiro-kohore të universit të njohur. Kjo e lejon makinerinë të funksionojë, ndërkaq çdo pikë e universit tonë është e lidhur me një pikë të mbështjellësit. Kur makineria aktivizohet, pra, pllaka A hyn në pikën e mbështjellësit të lidhur me të, sikur të hapte një derë, dhe gjeneron një kanal transferimi që ne e kemi quajtur Lidhësi, i cili e ka ekstremitetin tjetër të kapur mbas një pike tjetër të universit tonë, përcaktuar nga parametrat që vendosëm. Një parametër vendimtar, R6-a, bën që shkëmbimi i vëllimeve midis hapësirave A dhe B mund të ndodhë duke përdorur një sasi energjie të praktikueshme.>

Biologia e kishte kuptuar vetëm në vija të trasha fjalimin e Drew-së, por i mjaftonte. E rëndësishme ishte që të funksiononte.

<Duhet t’i japim një emër, këtij modelit të ri.> vërejti Marron.

<E drejtë!> aprovoi Kamaranda, guru-ja e modeleve matematike. <Unë propozoj ta quajmë thjesht Sistemi. Është e lehtë për ta kujtuar dhe i shpejtë për ta cituar.>

<Jam dakord.> ndërhyri Drew. <Si thoni?> pyeti i kthyer nga të tjerët.

<Për mua në rregull.> tha Schultz, dhe edhe të tjerët iu bashkuan duke pohuar të kënaqur.

<Perfekt.> tha Drew. <Por, tani, të gjithë për të ngrënë!> urdhëroi me mirësi.

Marron qe i fundit që doli. Tek pragu i derës u kthye të shikonte dërrasën e zezë, mbi të cilën ekuacioni final për llogaritjen e fuqisë po shfaqej bukur. Ishte pabesueshmërisht e thjeshtë, krahasuar me punën e tmerrshme që kishte kushtuar, dhe në formën e tij të thjeshtuar paraqitej kështu 23:

ku:

P = fuqia në Watt

d = largësia e shkëmbimit, në metra

V = vëllimi i shkëmbyer, në metra kub

Bryce kishte ngrënë tashmë, natyrisht, ndaj qëndroi në laborator të korrigjonte disa punime të studentëve të saj që kishte me vete në çantë.

Gjithë të tjerët shkuan me hapa të shpejtë në mencën e Universitetit, të lodhur dhe të uritur.

Duke hyrë dhe duke parë sallën pothuajse të zbrazët Marron u kujtua që, duke mos shkuar për drekë në kohë, nuk kishte mundur të takonte Charlene-ën. Ndoshta do të ishte mërzitur, por shpresonte se duke i shpjeguar që kishte qenë i zënë me ‘eksperimentin e tij delikat’ do i kishte kaluar.

Menca ofronte akoma një zgjedhje diskrete dhe të gjithë vetëshërbyen bujarisht. U ndanë në disa tavolina për të shpërndarë tensionin e asaj zhytjeje totale, gju më gju, që kishin jetuar për shumë orë. Për më tepër hëngrën në qetësi, dhe të paktat fjalë të këmbyera ishin për klimën, argument klasik jo impenjativ dhe qetësues.

E morrën me qetësi dhe nga ora katër u kthyen me dembelizëm në laborator. Atë ditë kishin revolucionarizuar shkencën, nuk kishin pse të nxitoheshin më tepër.

Gjetën Bryce që po shkundte kokën e stresuar, ndërsa hiqte vija të kuqe në detyrën e një nxënësi.

U kthye nga grupi që po hynte dhe tundi në ajër fletën me shkrim dore.

<Sipas këtij studenti, një tretësirë uji dhe klorur natriumi në 15% është një përzierje ekspozive nëse nxehet në 38 gradë celcius, në presion atmosferik. Produktet e reaksioneve që ai llogarit janë aq të gabuara saqë nuk di nëse duhet t’i lë të kryejë eksperimentete e mbetura të kursit. Kam frikë se mund të hyjë në konkurim me dikë që e njoh, specialist në shpërthimet e papritura.> dhe i shkeli syrin Drew-së.

Fizikanti buzëqeshi mospërfillës dhe u ul gjysmë i nderur në një karrige, duke kryqëzuar gishtat mbi bark dhe duke parë Bryce me një shprehje gjakftohtë paqeje të brendshme.

<Profesoreshë Bryce, studenti juaj mund të jetë një gjeni i keqkuptuar, që ndoshta duhet vetëm të gjejë rrugën e tij.> tha me shaka.

<Po, rrugën... e bujqësisë!> bëri shaka biologia. <Durim, do të thotë që duhet të studiojë edhe një muaj tjetër për këtë provim, dhe shumë urime pastaj!>

<Atëhere, ç’farë na keni sjellë, profesoreshë?> u informua Drew.

<Paramecin.> u përgjigj ajo duke marrë kutinë nga rafti. <Siç e dini, është një qelizor dhe ushqehet me bakterie. Ekzemplari që kam këtu është i gjatë rreth 300 mikron, pra lehtësisht i vëzhgueshëm me mikroskopin portabël që kam gjetur.>

Nxorri një kuti të vogël transparente nga kutia. Brenda kishte një ndarje që mbante një përbërje të lëngshme.

<Është një ekzemplar i vetëm, i zhytur në një përbërje ushqyese. Nëse shkëmbimi nuk e dëmton do të vazhdojë të ushqehet siç bën zakonisht.>

Ia çoi kutinë Drew-së, që pa nga Kobayashi.

Japonezi tregoi makinerinë dy, prandaj Drew mbështeti mostrën mbi atë pllakë.

Liruan zonën e pikës B dhe vendosën poshtë një stol të mbuluar me një peshqir, për të pritur mostrën në mbërritje dhe të evitonin që të përplasej, duke rënë kështu në tokë.

Pa ndryshuar asnjë parametër, Maoko aktivizoi shkëmbimin.

Kutiza transparente u materializua atje ku pritej. Marron e morri dhe ia dha Bryce, që e vendosi menjëherë në mikroskop.

Shtrëngoi sytë tek okularët dhe mbeti disa sekonda në vëzhgim, pastaj u ngazëllye.

<Ushqehet! Është mirë!> vështroi përsëri, e emocionuar. <Është fantastike, dhe... një moment... pa shiko pak, ç’farë rastësie!> Priti përsëri disa sekonda, duke i lënë pa frymë, pastaj thërriti <U riprodhua! Shkëlqyeshëm. Kjo është prova e shndritshme që shkëmbimi nuk e ndikuar aspak. Shikoni ju vetë.> i tha e qeshur Drew-së.

Fizikanti pa në mikroskop, rregulloi vendosjen në qendër dhe në fund pa dy paramecë të vegjël që zhyteshin të fortë në substancën ushqyese.

Ia la mikroskopin të tjerëve, të paduruar për të admiruar formën e parë të jetës së kafshëve transferuar me makinerinë.

Ishte një rezultat historik.

Të gjithë buzëqeshnin entuziastë dhe u komplimentuan.

Ajo ditë do kishte qenë një moment i rëndësishëm në historinë njerëzore.

<Ç’ ka tjetër, atje brenda?> pyeti Drew duke treguar kutinë.

Bryce nxorri një kutizë që mbante një krimb, një tjetër kutizë me një bretkosë të vogël dhe në fund një kafaz të vogël në brendësi të të cilit një brejtës i vogël bridhte andej këtej mbi një tapet të vogël kashte.

<Krimb!> njoftoi Bryce duke i drejtuar kutinë përkatëse Drew-së, që e morri dhe vëzhgoi për një çast unazorin rozë që përdridhej me gëzim.

<Udhë të mbarë!> uroi besimplotë Drew krimbin.

Shkëmbim.

Perfekt.

Krimbi arriti në destinacion i gëzuar si më parë, me ndihmën e madhe të eksperimentuesve.

Tashmë kishte besim total tek makineria dhe teoria që e drejtonte, prandaj kaluan shpejt tek bretkosa e vogël.

Ajo po rrinte e qetë në kutinë e saj me vrima, dhe pas arritjes lumturisht në pikën B kërceu pak për të ardhur në vete pas rënies mbi stol. Bryce i ofroi një mizë duke e kaluar nga një vrimë e kutisë, dhe bretkosa me një lëvizje të gjuhës e kapi shpejt dhe e gëlltiti.

<Ka oreks, kafshëza, ëh?> vuri në dukje me shaka Drew.

<Tani, jemi tek gjitarët.> deklaroi solemnisht Bryce, duke mbajtur të ngritur në ajër kafazin e vogël të brejtësit. <Po ecim?> pyeti thjesht për formalitet Drew-në.

Ai i tregoi drejtpërsëdrejti pllakën A, dhe Bryce me pamje pompoze e vendosi sipër personalisht kafazin.

Maoko shtypi tastin e aktivizimit.

Kafazi mbeti atje ndërsa brejtësi, i lirë, u shfaq në pikën B dhe ra mbi peshqir, u hodh poshtë nga stoli dhe kërceu shpejt drejt këndit të kundërt të laboratorit.

<Iiiiiiiiiiiiih!> një britmë e mprehtë theu ajrin, ndërsa një vajzë doli nga pas dollapit dhe përfundoi tek karrigia më e afërt, duke hipur sipër. Vuri gishtat në gojë dhe vazhdoi të bërtiste. <Aaaaaaaaaah!>

Gjithë të pranishmit u kthyen të habitur drejt saj.

Pas disa çastesh Drew reagoi.

<Po kjo, kush është?> pyeti me gojë të hapur.

Brejtësi u fsheh poshtë një dollapi duke iu ikur nga shikimi, ndaj vajza pushoi së gërthituri.

<Charlene!> bërtiti Marron pushtuar nga një habi e madhe.

<Kush?> pyeti Drew.

<Ehm... është Charlene. Ehm... e fejuara ime.> tha Marron duke u bërë vjollcë nga sikleti.

<Ç’farë?> tha Drew duke shtrënguar sytë kërcënueshëm. <E fejuara jote?> dhe theksoi rëndshëm fjalën.

<Eh, po. E fejuara ime.> dhe iu afrua Charlene-ës, duke e ndihmuar të zbriste nga karrigia.

Vajza pa me dyshim drejt vendit të fshehtë të brejtësit dhe u avit shpejt drejt derës.

<Ku kujton se po shkon, zonjushë?> i bërtiti Drew me zë të lartë.

<Dua të dal që këtu, menjëherë!> i ktheu përgjigje ajo, me ton sfidues.

<Jo tani!> e bllokoi Drew duke dalë përpara derës.

Marron s’ishte në vete. Kishte vënë një dorë mbi ball dhe vazhdonte të shkundte kokën. Po djersinte bollshëm dhe nuk dinte nëse të mbante anën e Charlene-ës apo të Drew-së. Ishte një rrëmujë, dhe ndjente që përgjegjësia ishte e tij.

<Profesor Drew, ju lutem. Më lini t’i flas unë.>

Drew e injoroi.

<Ç’bëni ju këtu?> e morri në pyetje Charlene-ën me ashpërsi.

<Unë...> filloi vajza, po menjëherë u hap dhe u skuq. E dinte që nuk ishte sjellë tamam korrektësisht.

<Unë doja vetëm të shikoja ç’farë po sajonte i dashuri im.> filloi me sinqeritet, dhe edhe me një fije trishtimi. <Ka disa ditë që e shikoj me mendjen diku tjetër, është i entuziazmuar, por edhe i menduar, dhe vura re që më fsheh diçka, dhe më tregon gënjeshtra!> përfundoi duke e parë drejt në sy.

Marron i ngriti të tijtë në qiell dhe hapi krahët, i mundur.

<Ç’farë mund të të thoja?> provoi t’i shpjegonte. <Po bëjmë eksperimente dhe...>

<Ç’farë keni parë, zonjushë?> e ndërpreu thatë Drew, duke iu kthyer Charlene-ës.

<Unë...> filloi hezituese, <unë... kam parë. Kam parë atë që ishte për t’u parë.>

Të gjithë në laborator kishin bërë një rreth përreth saj dhe e shikonin me armiqësi, përveç Marronit që rrinte i veçuar, zemërthyer.

<Mirë.> konstatoi Drew, <tashmë dëmi u bë. Ju nga ky moment bëni pjesë në këtë grup kërkimi. Ju jeni një studente, mendoj. Studente e...?>

<Psikologjisë.> u përgjigj Charlene kujdesshëm.

<Mirë, zonjushë Charlene, studente e psikologjisë.> Drew pa derën pas kurrizit të tij, për t’u siguruar që ishte e mbyllur mirë. <Sot ju, këtu, keni asistuar në eksperimentimin e një sistemi për të transferuar lëndë nga një vend në tjetrin, në mënyrë të menjëhershme dhe absolutisht revolucionare. Duke parë përgatitjen tuaj thjesht njerëzore mendoj se nuk ju interesojnë implikimet shkencore të çështjes, por do ia lë Marron-it kënaqësinë t’ju a shpjegojë, nesë do ta quajë të nevojshme. Fenomeni u zbulua rastësisht nga i dashuri yt, duke përdorur në mënyrë krejt të pavullnetshme një makineri të ndërtuar nga unë. Personat që shikoni këtu,> dhe tregoi të pranishmit, <janë angazhuar nga unë për të zbuluar mekanizmin e funksionimit të makinerisë dhe të teorisë që ka për bazë. Dhe kjo është bërë. Sot kemi eksperimentuar me forma jete bimore dhe shtazore > pas asaj fjale, ‘shtazore’, Charlene pa nervoze drejt dollapit që fshihte brejtësin, <dhe kemi gjetur konfirmime të qëndrueshme të teorisë. Ju ndodheni në prani të më të ndriturve në qarkullim. Ju prezantoj profesorin Schultz, fizikant i Universitetit të Heidelberg.>

 

Charlene i shtrëngoi dorën profesorit, që ia ktheu me një shtrëngim të fortë dhe të sinqertë.

<Profesor Kamaranda, matematikan, nga Raipuri. Profesor Kobayashi, fizikant i energjive të larta, nga Osaka.> Në çdo shtrëngim dore Charlene ndjente që emocioni rritej brenda saj, si një lum i mbushur plot. I dukej sikur ishte pranë perëndive. <Profesoresha Novak, fizikante nga Universiteti i Oslos. Zonjusha Yamazaki, pre laureate e profesor Kobayashit.>

Maoko e pa Charlene-ën me shikim kritik, pastaj ia ktheu me një shtrëngim dore shumë të ngrohtë.

<Profesoreshë Bryce, biologe e Universitetit tonë.>vazhdoi Drew, <dhe unë, profesor Lester Drew, fizikant dhe relator i të fejuarit tuaj.>

<Jam e nderuar që po njihem me ju.> deklaroi e emocionuar Charlene. <Më falni, ju lutem, që hyra ashtu në laborator dhe që ju krijova këto probleme. Po përpiquni të më kuptoni, nuk e dija ç’farë po sajonte Joshua dhe... bëra një çmenduri. Më falni sërish.>

<Ajo që u bë u bë.> përfundoi Drew. <Por, tani, ju duhet të kuptoni që gjithçka që keni parë këtu dhe për gjithçka që do viheni në dijeni që tani e tutje do të jetë absolutisht sekrete. Absolutisht sekrete, kuptove? Retkori McKintock personalisht është në dijeni të këtij projekti dhe ka urdhëruar sekret maksimal. Ju nuk do duhet kurrrë, e përsëris kurrë, të flisni me dikë. Është e qartë?>

<Po. Është e qartë. E kuptova.> u përgjigj Charlene akoma pak e penduar, por edhe krenare që kishte hyrë në atë grup.

<E pastaj,> tha Drew duke i shkelur syrin, <një psikologe gjithmonë mund të na duhet!>

Charlene buzëqeshi, dhe në të njëjtin moment Bryce e kapi nga brryli dhe e çoi mbrapa, drejt vendit të fshehtë të brejtësit.

<Mirë, zonjush aspirante psikologe Charlene, e fejuar e nxënësit Marron, si rit të fillimit të kësaj vëllazërie sekrete të Universitetit të Manchesterit, ju duhet të më ndihmoni të rigjejmë kavien që ka ikur.> dhe i vuri në dorë një copë kartoni.

Charlene u zverdh.

<Oh, jo!Jo, nuk mundem!>

<Si thatë, ju lutem?> e pa në sy me pamje kërcënuese.

<Oh, epo,> Charlene e kuptoi që ky ishte çmimi që duhej të paguante për pafytyrësinë e saj, <në fakt, është vetëm një mi i vogël ... një mi i vogël.> dhe u rrënqeth.

<Është një brejtës, jo një mi!> e korrigjoi e thartuar Bryce, <dhe shumë familje e mbajnë si kafshë shtëpiake, prandaj nuk duhet të kesh asnjë drojtje. Palos kartonin në kënd të drejtë, po, kështu, dhe mbështete tek këto dy anët e lira të dollapit.> dhe i tregoi ku ta vendoste, pastaj u ul deri në tokë dhe vuri një krah përballë anës së fundit të lirë të dollapit mbështetur në mur, duke lënë vetëm një hapje të vogël. Futi dorën e lirë dhe kontrolloi në hapësirën rrethuese. Një gjueti e shkurtër, pastaj <Ah, e kapi!> Nxorri me ngadalë dorën dhe u ngrit në këmbë, duke i prezantuar botës gjitarin e parë të zhvendosur me makinerinë.

Brejtësi ishte shumë mirë, duke gjykuar nga paramendimi i sjelljes së tij.

Charlene bëri disa hapa prapa e tronditur nga kafsha, pavarësisht të gjithave.

Bryce e futi kavien në kutinë e mostrave, që tashmë ishte pajisur me vrima për të marrë frymë ekzemplarët e transportuar.

<Dhe tani, doni të më shpjegoni ç’farë ndodhi në shkëmbimin e fundit?> pyeti duke iu kthyer kolegëve përreth saj.

<Është e thjeshtë, profesoreshë.> u përgjigj Kobayashi. <Nga emocionet e eksperimenteve të kryera me sukses, nuk na ra ndërmend që kafazi i vogël ishte më i madh se vëllimi i hapësirës që makineria ishte e predispozuar të transferonte. Kafazi është një kub me rreth tetë centimetra brinjë, ndërsa ne e kishim kalibruar vetëm për katër centimetra brinjë. Rezultati është që vetëm kavia në brendësi të vëllimit të kalibrimit është transferuar, së bashku me një copë dysheme të kafazit. Pjesa tjetër e mbështjelljes mbeti në pllakën A.>

<Doni të thoni që ...> insinuoi e tensionuar Bryce <... që nëse kriteri nuk do të qe gjetur plotësisht brenda vëllimit të puntuar nga transferimi, do kishim zhvendosur vetëm gjysmën e kafshës? Një pjesë do kishte mbetur në kafaz?>

<Po, është kështu.> konfirmoi Kobayashi, aspak i shqetësuar nga ideja.

Bryce psherëtiu.

<Atëherë, paska shkuar mirë.> pohoi duke përsëritur, mendueshëm. <Sidoqoftë, është një rrezik që nevojitej ta ndërmerrnim në çdo rast. Por, kuptoni, që në nivel etik eksperimenti mbi kafshët duhet bërë vetëm dhe vetëm nëse nuk ka zgjedhje të tjera. Me rezultatet entuziazmuese të kryera më parë, nuk kisha as minimunin e ndjesisë që diçka do kishte shkuar keq. Për këtë e vendosa kafazin mbi pllakë shumë e shpenguar. Ky brejtës është tamam me fat! Me shpejtësinë me të cilën lëviz, mund të kishte qenë kudo në momentin e shkëmbimit. Jam i lumtur që shkoi çdo gjë mirë.> përfundoi duke piketuar një gisht mbi kutinë në të cilën kafshëza bënte një lëvizje të madhe duke bredhur aty këtu.

Marron, ndërkaq, i ishte afruar Charlene-ës. E tërhoqi veçmas dhe e pyeti me zë të ulët.

<Po më thuaj një gjë. Si ia bërë për të hyrë në laborator pa të parë asnjë?>

<Në drekë nuk të kisha parë.> iu përgjigj ajo. <Isha e shqetësuar. Në mbasdite, ndërsa po shkoja në bibliotekë, të pashë që po dilje nga menca së bashku me grupin e njerëzve që janë këtu prezent. Ju kam ndjekur nga larg dhe ju kam parë që hytë këtu. Erdha përqark godinës dhe gjeta dritaren e banjos të hapur. Kam hyrë që andej dhe pa më parë asnjë u fsheha mbrapa atij dollapi. Kam parë eksperimentet. Të tjerat ti i di.>

<Nga banjua ke hyrë.> i buzëqeshi i dashuruar Marron. E përkëdheli me shikim. <Si në një film policor të serisë B.> dhe qeshi nën hundë i zbavitur.

<Pikërisht kështu, dinak!> e qortoi me djallëzi Charlene, duke i dhënë një shkelm tek njëra këmbë.

<Zonja dhe zotërinj, për sot mjafton!> njoftoi me zë të lartë Drew. <Do të thoja që më mirë se kaq nuk mund të kishte shkuar. Faleminderit të gjithëve. Shihemi nesër!>

Grupi u shpërbë dhe secili iu drejtua banesës së tij.

Një ditë tjetër historike arriti në fundin e saj.

Kapitulli XV

Midori pa jashtë nga dritarja dhe fiksoi një pikë të largët, për të e padukshme.

Atje, ishte kopshti i qershive, në atë park ku kishte takuar të dashurin e saj Noboru.

Ishte perëndim, dhe vajza po i shkruante të dashurit.

“Sot jam vërtet e lodhur.

Mësimi i Historisë së Japonisë së Mesme Lindore është vërtet i padurueshëm. Ç’më intereson nga ajo epokë?Tani është koha që unë po jetoj. Tani nuk mund të të takoj, dhe zemra më dhemb, aq shumë më mungon.

Për dy javë kam provimin e Historisë dhe nuk arrij të ngulis në kokë nocionet. Do shkojë keq, e ndjej. Dhe prindërit e mi do pyesin përse, pas një karriere të mirë universitare, rendimenti im të bjerë kaq dukshëm.

Jo, nuk është e drejtë, as për ata, që sidoqoftë më duan shumë dhe shpresojnë që unë të ndërtoj një pozitë të mirë sociale, as për mua, pasi nëse nuk mbaroj studimet do mund të kryej vetëm punë poshtëruese, të pasigurta dhe të paguara keq. Përse gruaja në Japoni duhet të jetë kaq e getoizuar? Është një shoqëri lëvizëse, e dominuar nga ata meshkuj autoritarë që vendosin gjithçka dhe lënë gruan të shikojë atë tavan transparent përtej të cilit ata qeverisin jetët tona.

Po unë nuk dua të qëndroj në hije.

Do studioj, po, do studioj si asnjëherë, edhe Histori, po, kështu do të arrij tek diplomimi dhe do të bëhem mësuese, do të fitoj mirë dhe do të martohemi, ti do të zbresësh nga ajo varkë dhe nuk do jesh më i varfër. E do të studiosh letërsi, si mua, dhe do të bëhesh poet: ke talent, Noboru, dhe duhet ta plotësosh me studime.”

Midori ngriti penën nga fleta dhe vendosi duart mbi sytë, për të tharrë lotët që i vijëzonin fytyrën duke i rrjedhur vrullshëm. Vuante jashtëzakonisht. Por ishte edhe e fortë dhe racionale. Dinte të luftonte.

Maoko morri shaminë dhe fshiu sytë. Fatkeqësia e Midorit e kishte mallëngjyer. Ajo dashuri torturonjëse derdhej nga faqet e romanit dhe e prekte në zemër, duke e bërë për të qarë gjithmonë.

Me një psherëtimë, por pikërisht në atë moment dëgjoi të trokisnin në derë.

Një trokitje e butë, pothuajse e ndrojtur, do kishte thënë.

Në mëdyshje pa orën në dritën e abat-jour-it: ishte dhjetë e darkës; kush mund të ishte, në atë orë?

U ngrit nga shtrati, uli librin dhe iu drejtua derës. Nuk kishte sy magjik, ndaj u afrua me kujdes.

<Po?> pyeti pa e hapur.

<Novak.> qe përgjigjja e thjeshtë.

Maoko ngriti sytë nga qielli, duke psherëtirë, ndezi dritën kryesore, hapi derën dhe la të hynte norvegjezen; mbylli pastaj derën me çelës, duke parashikuar vijimin.