Kriteri I Leibnizit

Text
Read preview
Mark as finished
How to read the book after purchase
Font:Smaller АаLarger Aa

<Kuptoj.> dhe këtë herë rektori pohoi me mirëkuptim dhe vlerësim për korrektësinë e Drew. <Por, në linjë teorike, teorike, ki kujdes, do kishte qenë e mundur pra të zhvendosje njerëz?> pyeti duke parë fizikantin drejt në sy.

Drew nuk kishte rrugë, prandaj nuk u hezitoi.

<Po. Në linjë teorike, po. Kur të kemi makinerinë e duhur, kur ajo të jetë eksperimentuar siç duhet, dhe nëse do të ketë mundësi ligjore për ta bërë, po, mund të zhvendosim njerëz.> përfundoi gjithçka me një frymë.

McKintock ishte rrezatues. Lodhja e ditës ishte larguar sikur një erë ta kishte shtyrë tutje. U ngrit në këmbë dhe u rrotullua rreth tavolinës së shkrimit. I dha dorën Drew-së dhe ia shtrëngoi me ngrohtësi.

<Fantastike, miku im. E pabesueshme, dhe fantastike.> e komplimentoi i sinqertë.

<Faleminderit, McKintock. Por, tani, po shkoj në shtëpi. Jam vërtet i lodhur. Shihemi nesër.>

<Mirupafshim, Drew. Shihemi nesër.> e përshëndeti rektori duke e parë të dilte nga zyra pak i përkulur.

Drew arriti në shtëpi dhe bëri menjëherë një dush.

Tensioni ektrem i ditës kishte ikur së bashku me ujin e pisët dhe ai kishte një uri ujku. Motra e tij kishte përgatitur darkën tashmë, siç i përshtatej një personi perfekt dhe të përpiktë si ajo, dhe së bashku hëngrën duke biseduar kot së koti.

<Si është mikesha jote nga Leeds?> pyeti Drew si në një kronikë. <Tashmë shkon tek ajo çdo fundjavë. Duhet të keni me të vërtetë shumë të përbashkëta! Meqë ra fjala, si quhet?>

Timorina ngriti vetullën e djathtë, e çuditur nga ai interesim i papritur për çështjet e saj personale. Drew rrallë e pyeste për diçka që i përkiste drejtpërsëdrejti, i zhytur siç ishte në punën e tij dhe në studimet e tij.

U çudit, pra, por vuri re edhe që atë mbrëmje i vëllai ishte tepër euforik.

<Je në humor, sonte, Lester.> iu përgjigj duke e vëzhguar. <Çne?>

<Rezultate të shkëlqyera me një kërkim. Nuk ndodh shpesh.> shpjegoi vakët, duke mos hyrë dot në detaje. <Pra, mikesha jote?>

Timorina e kuptoi që Drew kishte vetëm dëshirë të bënte një bisedë dhe entuziazmi që tregonte në lidhje me të rridhte nga lumturia e brendshme që provonte për suksesin në kërkimin për të cilin i kishte folur.

<Jenny është një zonjë e dashur.> filloi duke buzëqeshur. <E kam njohur në një ekspozitë pikturash disa muaj më parë. Kemi zbuluar që kemi shumë autorë të preferuar të përbashkët, prandaj kam vendosur të shoqërohem me të. Ka disa piktura me vlerë si edhe një koleksion të bukur të librave mbi këtë argument. Kur takohemi gjejmë gjithmonë të veçanta stimuluese mbi të cilat të diskutojmë. Të siguroj që për një të apasionuar të tillë një pikturë ofron disa shtysa, detaje që ndoshta nuk i kishe vënë re më parë dhe tani të shfaqen papritur përpara syve. Fillojmë të analizojmë detajin dhe na pëlqen të krasasojmë vlerësimet respektive për çështjen: mund të jetë teknika, qëllimi i detajeve piktorale, gjendja psikologjike e autorit. Është një kënaqësi të qëndrosh me të. Është shumë inteligjente, një person shumë interesant.> përfundoi me zërin gjithmonë të kontrolluar që e shquante.

<Shiko! Përgëzime!> e komplimentoi Drew. <Është një miqësi absolutisht e vlefshme. Jam i lumtur për ty.> kapi pataten e fundit dhe mbajti pirunin të ngritur në ajër. <Përse nuk e fton këtu, në ndonjërën nga herët e tjera? Edhe ne kemi disa piktura të bukura për të treguar.> dhe futi pataten në gojë.

<Pikturat tona nuk janë të gjinisë që po studiojmë.> gënjeu sinqerisht Timorina. <Kur të kalojmë tek ekspresionizmi ndoshta do ta ftoj. Gjithsesi ajo ka një koleksion të bukur edhe të atij. Të shohim.> përfundoi gjithmonë duke buzëqeshur.

Asnjëherë nuk do kishte folur për Cliff-in. Ishte dashuruar çmendurisht me atë burrë të njohur në muze, dhe i dukej sikur po ti tregonte do kishte shkatërruar imazhin e dlirësisë dhe perfeksionit që vëllai kishte për të. Por, nuk e dinte akoma mirë si të sillej, sepse nëse ishte e vërtetë që ishte hera e parë në pesëdhjetë vitet e jetës së saj që dashurohej kështu, ishte edhe e vërtetë që lumturia e saj mund të ishte ndarë shumë mirë me të vëllanë. Kishin jetuar gjithmonë bashkë, pasi të dy prindërit kishin vdekur, dhe nuk kishte patur ditë në të cilën Lester mos ta kishte falënderuar për kujdesin që ajo kishte për të. Ishte i shpërqëndruar, po, mendonte gjithmonë për fizikën, sigurisht, po i tregonte vazhdimisht, me fjalë dhe me sjelljen e tij, sa perfekte ishte ajo, e rëndësishme dhe e domosdoshme. Si mund ta mbante jashtë kësaj?

Jo, për tani ishte më mirë kështu. Kishte frikë se po t’i kishte treguar historinë e saj të dashurisë kaq shpejt, vetëm pas pak muajsh nga fillimi, dhe kjo pastaj të shkatërrohej, tragjedia do kishte qenë akoma më e rëndë. Do kishte qenë për atë vetë, për imazhin e saj dhe edhe për të vëllanë, të cilit nuk donte ti sillte pakënaqësira.

Nuk donte të mendonte për edukatën e rreptë fetare, fanatike dhe shtypëse ndaj të cilës ishte nënshtruar. I ishte imponuar të mos shikonte dhe të mos mendonte për djemtë, pasi ‘janë burim mëkati dhe humbjeje’. Dhe këtë kishte bërë ajo, ose më mirë duhej të bënte, ndërsa shoqet e saj të klasës flirtonin me meshkujt sipas rastit, formonin çifte, ndaheshin, ndërronin partner dhe, të rritura, martoheshin dhe krijonin familje. Jo, ajo nuk kishte mundur. Gjashtëmbëdhjetë vjeçe zemra e saj kishte rrahur fort për një djalë; qante natën, në shtratin e saj, duke shtrënguar e dëshpëruar pas vetes jastëkun sikur po shtrëngonte atë, duke mbushur këllëfin me lotë djegës, por gjithçka në qetësinë më totale. Nuk mund të lejonte ta dëgjonte e jëma, që në dhomën ngjitur e kishte gjumin gjithmonë të lehtë. Por, pas disa ditësh, ai djalë ishte lidhur me një bjonde të pavlerë nga një klasë tjetër, një vit më e vogël. Kur Timorina e kishte zbuluar goditja kishte qenë e fortë. Nuk kishte guxuar të shfaqej vetë në kohë, dhe dikush tjetër e kishte bërë në vend të saj. Tashmë ishte shumë vonë dhe atëherë inati e pushtoi atë. I vërsulej me mendje kundër gjithë botës, kundër prindërve, kundër vetes së saj, frikacake. Kaloi ditë me inat të brendshëm e shtypur, e zhytur në studim dhe në gjimnastikë për të cilën ishte e prirur natyralisht. Kur furtuna mbaroi, vendosi që nuk do shikonte më asnjë djalë në jetën e saj, sepse do kishte mundur të vuante përsëri, të ishte e zhgënjyer, dhe e dëshpëruar. Jo, mjaft me dashurinë, edhe pse nuk e kishte eksperimentuar seriozisht.

U bë mësuese fiskulture dhe filloi karrierën e saj pranë një shkolle publike, në të cilën deri tani ushtronte profesionin e saj. Kishte injoruar me zotësi ose përjashtuar propozime që në vite dikush i kishte bërë dhe kishte ndërtuar një famë solide prej lëneshe të rregjur. Nuk i rëndonte të ishte vetëm. Kishte vëllain e saj për të cilin kujdesej, në shtëpi, dhe ai meritonte gjithë respektin e saj dhe përkujdesjet e saj.

Por, atë ditë në muzeun e Leeds, kishte ndodhur ajo që kurrë nuk do kishte menduar se do mund të kishte ndodhur. Po admironte një pikturë që tregonte një peisazh detar kur një zotëri rreth të pesëdhjetave u afrua edhe ai përpara pikturës, përbri saj, vështroi pamjen e pikturuar dhe në natyrshmëri e komentoi, me zë të thellë dhe sikur fliste me veten.

<Ajo e kaltër e ujit që sfumohet në portokallinë e perëndimit është e pabesueshme.>

Timorina ishte kthyer drejt tij, e çuditur. Po mendonte ekzaktësisht të njëjtën gjë.

<Ka diçka në teknikë që po më shpëton.> kishte bashkëbiseduar pa e kuptuar.

<Sipas meje është vaji. Do ketë shtuar ndonjë pigment të veçantë, ndoshta të bërë nga ai vetë.> kishte reflektuar burri me zë të lartë, duke kapur mjekrën me dorën e djathtë dhe duke çuar krahun e majtë horizontalisht mbi stomak, në mbështetje të brrylit të djathtë.

<Është e mundur.> i ishte përgjigjur Timorina. <Por efekti është uniform. Shikoni këtu?> dhe i ishte afruar pikturës, duke treguar një pikë. Edhe ai u afrua dhe ndoqi drejtimin e saj. <Afër varkës sfumimi është më i pakët. Po të ishte një pigment në vaj besoj se do ta kishte përdorur për gjithë pjesën e detit, ndërsa varka, që është lëpirë pikërisht nga perëndimi, duket sikur shfaqet si një entitet i veçuar.>

Burri e kishte parë me admirim.

<Keni të drejtë. Nuk e kisha vënë re.> i ishte përgjigjur me entuziazëm. <Ju jeni një specialiste, po shoh. Komplimentet e mia. Për plazhin ç’farë mendoni?>

Dhe aty kishin filluar një diskutim të gjerë mbi pikturën, duke zbuluar teknikën, periudhën artistike, psikologjinë e piktorit, cilësinë e telajos dhe madje ndriçimin në atë sallë të muzeut, që e gjykuan si jo perfekt për një shfrytëzim të mirë të veprës.

Pas dy orësh rojes i ishte dashur t’i ftonte t’i afroheshin daljes pasi duhej ta mbyllte.

As nuk ishin prezantuar, pas gjithë atyre të folurave, prandaj burri i zgjati dorën.

<Cliff Brandon. Ishte një kënaqësi për mua.>

<Timorina Drew.> i ishte përgjigjur ajo duke ia shtrënguar me shumë ngrohtësi. <Ka qenë një kënaqësi edhe për mua.>

<Ç’farë urie!> tha ai duke e parë i buzëqeshur, i hapur.

Ajo e kishte parë dhe nuk kishte mundur të refuzonte së shijuari atë fytyrë të sinqertë dhe simpatike.

<Kam uri edhe unë.> kishte thënë gëzueshëm.

Gjysmë ore më pas ishin ulur në një restorant italian jo larg nga muzeu dhe po shijonin një racion të bollshëm llazanjë në furrë. Vazhduan akoma edhe për pak të flisnin për pikturën, pastaj pa e kuptuar filluan për veten. Ai ishte vetëm, i divorcuar prej disa vitesh dhe pa fëmijë. Gruaja e kishte lënë për një tjetër, pas shumë viteve martesë, sepse ‘kishte nevojë për stimuj të rinj’, kështu kishte thënë.

 

Timorina kishte ngritur vetullën e çuditur, duke pyetur si mund të lije një burrë kaq simpatik, dhe iu desh të pranonte që pavarësisht që sapo e kishte njohur ndihej përsosmërisht në sintoni me të. Një nxehtësi i dilte nga brenda dhe duart pothuajse i dridheshin. Nuk kishte provuar kurrë asgjë të tillë, më parë, dhe atëherë hodhi pas krahëve betimin e saj të ndëshkimit. Me një gjysmë buzëqeshje e pa në sy.

<Banon larg?> i foli drejtpërsëdrejti me ti.

<Nuk dija si të të pyesja.> iu përgjigj ai. <Ndjehem aq mirë me ty saqë...>

<Ssssh!> e ndërpreu Timorina duke i vënë gishtin tregues mbi buzë, duke i bërë shenjë që të heshtte. U ngrit dhe iu drejtua kasës. Ai qe i shpejtë ta paraprinte dhe të paguante llogarinë.

Rreth një orë më vonë, ishte rreth tetë e gjysmë e darkës, rrobat e tyre ishin shpërndarë në tokë rreth krevatit të Cliff-it, dhe Timorina po humbiste virgjërinë e saj.

Duke kujtuar atë mbrëmje fatale pak muaj më pas Timorina u elektrizua, po u përpoq që mos ta shfaqte përpara të vëllait. Thelbësisht i kishte thënë të vërtetën, mbi muzeun, mbi pikturën, mbi diskutimet teknike; i vetmi ndryshim i përkiste personit të interesuar. Për momentin, i tha vetes, do ta kishte mbajtur gjithçka për vete. Më vonë, ndoshta, nëse gjërat do të konsolidoheshin, do t’ia kishte treguar.

U ngrit dhe filloi të pastronte tavolinën. Drew e ndihmoi, pastaj u drejtua nga kolltuku i tij. Ishte gati të ulej, kur ndërroi mendim.

<Dëgjo, të vjen keq nëse shkoj të pi një birrë?>

<Aspak. Mos u kthe shumë vonë. Dhe mos pi shumë.> e paralajmëroi.

<Rri e qetë.> iu përgjigj i dashur.

Drew shkoi në dhomën e tij dhe me shpejtësi veshi një veshje sportive. Zbriti dhe përshëndeti të motrën.

<Shihemi. Mirupafshim.>

< Mirupafshim.>

Dera sapo ishte mbyllur pas Drew-së dhe Timorina ishte ulur tashmë në kolltuk. Me një buzëqeshje në gjithë fytyrën morri dorezën e telefonit dhe formoi një numër.

Po i telefononte Cliffit.

Drew iu drejtua me hap të qetë birrarisë së tij të preferuar. Ishte në një rruginë jo larg Universitetit dhe here pas here shkonte për të thithur pak nga ai ambient i mobiluar me dru antik, stola të fortë dhe nxjerrës gjigandë për birrën. I pëlqente ajo botë në mënyrën e vjetër, me dritat e ulura dhe ngjyrat e ngrohta të kohëve të vjetra. Konsumatorët ishin pak a shumë burra të pjekur, si ai, po kishte gjetur edhe çifte të reja që dinin të vlerësonin një birrë të mirë të shijuar në mënyrën e duhur, dhe në vendin e duhur.

Ajri ishte i freskët, edhe i ftohtë në atë orë, dhe Drew e thithi me gjithe mushkritë, duke u gjallëruar në çdo hap. E donte Manchesterin e tij, ishte pjesë e atij qyteti, dhe ndjente që qyteti ishte pjesë e tij.

Dhe ç’farë po i tregonte tani Manchesteri i tij?

Epo mirë: Schultz, që vinte drejt tij duke parë përreth pak i hutuar dhe duke ecur me hap lëkundës. Kur po kalonte afër një ndriçuesi figura e tij prej luftëtari gjerman dilte nga errësira si një banor i turpshëm i territ, për tu zhdukur pastaj në errësirë pak metra më trutje.

Drew qeshi nën hundë, duke iu dukur skena qesharake. Tundi dorën dhe e thirri.

<Dieter! Miku im!>

Schultz pa në drejtimin e tij dhe shmpiu shikimin.

<Oh! Drew!> theksoi duke e njohur pas një çasti. <Miku im, jam i lumtur të të takoj! Po kërkoj një vend simpatik për të darkuar dhe nuk po arrij të orientohem. Ç’farë më këshillon?>

<Asnjë këshillë, por një ftesë! Po shkoj tek birraria ime e preferuar, dhe atje kanë edhe një kuzhinë të mirë tipike angleze. Jam i sigurtë që do mund të kënaqësh oreksin tënd në mënyrën më të mirë, dhe të ujisësh darkën tënde me një birrë të mirë. Këtej!> dhe e morri nga krahu duke ia ndryshuar drejtimin e marshimit.

<Oh, epo, faleminderit, Lester.> pranoi Schultz duke e ndjekur atë në mirëbesim. <Pas laboratorit hyra në banesën time dhe të betohem që u shemba në krevat i veshur. Më zuri menjëherë gjumi thellësisht dhe u zgjova vetëm pak më parë, me një uri të tmerrshme. Jam i kënaqur që të kam takuar.>

<Jam i kënaqur edhe unë. Një birrë në shoqëri është gjëja më e mirë për burrat e lodhur, pas një dite si e jona.> dhe i shkeli syrin.

<Në lidhje me burrat e lodhur, shiko pak atje poshtë!> Schultz tregoi me gisht përpara vetes, nja pesëdhjetë metra largësi.

Drew ndoqi drejtimin e mikut. Po kalonin në Sackville Park, dhe një figurë e errët rrinte ulur drejt në stolin e Turingut, në krah të statujës së gjeniut.

Nuk të duket...?> pyeti Schultz-in.

<Po.> konfirmoi Drew duke shkundur shikimin. <Po, është ai.>

<Kamaranda.> përfundoi Schultz duke pohuar.

Ecën në qetësi derisa arritën përpara indianit, dhe atje ndaluan.

Kamaranda ishte zhytur në meditime, siç edhe pritej. Kaluan disa sekonda, pastaj duke e kuptuar prezencën e tyre i njohu. Ngriti shikimin dhe i njohu. Një buzëqeshje iu pikturua në fytyrën ngjyrë kafeje, dhe u ngrit pa thënë asnjë fjalë. U drejtua bashkë me ta për nga birraria.

Ole Sinner Tavern ishte ngulitur në një banesë shumëkatëshe anonime që kufizonte një anë të një rruge të vogël pak të ndriçuar. Një ndriçues i verdhë tregonte hyrjen e lokalit dhe një tavolinë druri me një shkrim të trashë gërryer me shkronja të mëdha ishte mbështetur përbri portës. Shkrimi ishte lyer në të kuqe të errët, pak e konsumuar nga koha, e konsumuar si dhe pjesa tjetër ishte edhe tavolina që çdo ditë zhvendosej për të liruar trotuarin, për tu sistemuar pastaj në vendin e saj. Pamja e jashtme ishte e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Një unazë e trashë tunxhi ishte fiksuar mbi drurin e fortë të portës dhe jepte përshtypjen që duhej t’i bije për të hyrë dhe të hapej. Asgjë nga gjithë këto. Sapo të tre burrat arritën afër hyrjes porta u hap nga një hanxhi me përparëse dhe mustaqe në stilin e revolucionit industrial. I përshëndeti me besueshmëri dhe i çoi drejt e tek një tavolinë e lirë. Schultz dhe Kamaranda u mrekulluan, por Drew iu shpjegoi menjëherë trukun.

<Ka një qelizë fotoelektrike mbi portë. Kur dikush afrohet më pak se tre metra nga hyrja qeliza fotoelektrike bën të bjerë një zile në brendësi dhe mikpritësi vjen ta hapë. Është gjithmonë në lëvizje dhe zakonisht vjen në kohë, përndryshe e gjen gjithmonë përtej pragut që të uron mirëseardhjen. E dini, të kënaq fakti që të jesh i pritur me dëshirë.>

Kolegët pohuan fuqishëm ndërsa ishin duke zënë vend. Në një botë ku individualizmi po bëhej filozofia predominuese e jetës, në të cilën mos interesimi për tjetrin ishte praktikë e përditshme dhe respekti për tjetrin as nuk iu mësohej më fëmijëve, të gjeje një vend në të cilin ishin të kënaqur për ardhjen tënde dhe do të ishin dhembshurisht bujarë për ty të bëhej zemra mal, fjalë për fjalë.

Drew buzëqeshi gëzueshëm, duke parë shokët e tij të kënaqur të merrnin menutë. Ndërsa ai morri listën e birrave, edhe pse e dinte tashmë ç’farë do kishte porositur.

<Ç’farë na këshillon, Drew?> pyeti Schultz duke u vendosur më së miri mbi karrigen e rëndë prej druri të fortë. Duhet të kishte shumë uri.

Kamaranda përshkonte listën duke shtrënguar nga pak sytë në dritën e zbehur të lokalit.

<Po, ç’farë na këshillon? Je pronari i shtëpisë, këtu.> u bashkua edhe indiani.

<Unë kam ngrënë tashmë, prandaj do të marr një birrë të mirë. Për ju këshilloj një Steak Balmoral të mirë, që është një biftek i bërë në tigan me kërpudha, whisky, krem dhe erëza të ndryshme. Është shumë i mirë dhe i ushqyeshëm.>

Që të dy kërkuan pjatën mbi menu dhe lexuan përshkrimin e detajuar.

<Në rregull pa tjetër.> qe Kamaranda i pari që aprovoi. Schultz pohoi i bindur dhe mbylli menunë, duke e vendosur në një cep.

<Unë do të marr një old ale.> tha Drew. <Është e zezë, me malt dhe rreth 6 gradë alkool. Mendoj që është perfekte edhe për pjatat tuaja.>

Schultz ishte një pirës i rregullt i birrës, si gjerman që ishte, dhe miratoi menjëherë. Kamaranda iu bashkua, pikërisht ndërsa po arrinte hanxhiu të merrte porositë. Kishte një bllok të vogël me letër të verdhë me katrorë dhe një laps të harxhuar nga përdorimi. Drew porositi për të gjithë dhe hanxhiu u largua.

Lokali ishte mbushur përgjysmë, rreth shtatë, tetë tavolina, pothuajse të gjitha të zëna nga njerëz të moshës së tyre. Por ishte edhe një tavolinë me dy vajza që kishin përpara vetes një broke të madhe me birrë të zezë dhe një pjatë tashmë të zbrazët. Kishin pamjen e studenteve universitare, por, të huaja. Me flokët e zinj dhe linjat latine, duhet të ishin italiane ose spanjolle, do kishte thënë Drew. U mendua pak, pastaj u iluminua. Ishte pikërisht kështu, në fakt! I kishte parë duke ecur krahë për krahë në rruginat e Universitetit, në muajt e fundit, dhe një herë ishte kryqëzuar me to ndërsa flisnin me një kolegun e tij mësues anglishteje. Duhej të ishin atje për gjuhën, përfundoi.

‘Mirë’, tha me vete Drew, ‘është bukur që të ketë të rinj që dinë të kënaqen me shijet e traditës angleze’. Dhe që ato dy vajza të huaja ishin atje pikërisht për këtë e mbushte me gëzim. Ndjente që kishte një urë midis tyre, profesorët lundërtarë, dhe levat e reja që një ditë do të merrnin nga duart e tyre dëshmitarin e kulturës dhe do kishin vijuar atë punë thelbësore që ishte e mira më e çmuar e njerëzimit: shpërndarja e njohurive, dhe progresi i shkencës.

Ishte i zhytur në këto mendime, ndërsa Kamaranda dhe Schultz bisedonin me njëri tjetrin. Akoma dhe një moment, pastaj hanxhiu u kthye me një tabaka të madhe të rëndë për porositë komplete që po sillte.

Mbështeti përgjysmë tabakanë mbi një anë të tavolinës dhe shpërndau pjata dhe birra. Vetëm ti shikoje, pjatat të bënin të të vinte lëng në gojë, ndërsa birrat monumentale ishin të parrezistueshme. Të tre burrat kapën secili broken e vetë dhe e ngritën në ajër, duke ngritur dolli.

<Për universin e ri!> shpalli Drew me zë të lartë.

<Për Sistemin!> recitoi Kamaranda.

<Për ne!> shtoi Schultz i entuziazmuar.

Komshinjtë e tavolinave ngritën edhe ata broket duke u bashkuar me dollinë.

Pinë me lakmi atë nektar të perëndive, i fortë, i fresët, i shijshëm, pastaj të dy miqtë sulmuan pjatën e tyre ftuese.

Ai ishte një moment feste.

Ajo ishte mbrëmja e tyre.

E kishin merituar.

Kapitulli XVII

Pasi doli Drew, McKintock kishte mbetur vetëm në zyrë. Azhornimi që sapo kishte marrë mbi gjendjen e punimeve, me ato lajme kaq jashtëzakonisht entuziazmuese mbi mundësitë e makinerisë, e kishin tronditur plotësisht. Nuk po arrinte më të përqëndrohej mbi praktikën që po vendoste në rregull; vazhdonte të mendonte për përdorimet e pajisjes së re revolucionare. Të kurojë sëmundjet duke vepruar drejtpërsëdrejti në brendësi të trupit, të spostojë objektet në largësi të paimagjinueshme, të transportojë persona! I dukej sikur ishte një krimb që sapo kishte nxjerrë kokën jashtë nga toka për herë të parë, duke e kuptuar sesa e pakufijshme dhe tërheqëse ishte bota nga jashtë. Ndjenja e pafundësisë e kishte pushtuar atë, duke e lënë në agoni në prag të infinitit.

U përpoq të përcaktonte detajet e fundit të spikatura të praktikës, që mëngjesi vijues do t’ia kishte dorëzuar zonjushës Watts për redaktimin përfundimtar. Ndjenja e tij e detyrës ishte e pandërrueshme edhe në këtë moment ekzaltues, dhe ishte kjo që e bënte njeriun që ishte.

Shkruajti shënimin e fundit dhe mbështeti stilolapsin mbi tavolinën e shkrimit, pastaj pati një ide të rrufeshme.

U ngrit papritur, duke i mbajtur duart të mbështetura në anët e praktikës, dhe tha: ‘Përse jo?’

Për të festuar ngjarjen e madhe do kishte shkuar tek Cynthia, edhe pse nuk ishte dita e programuar. Sigurisht, nuk do kishte mundur t’i thoshte arsyen e vërtetë të asaj vizite të papritur, por sigurisht ajo do kishte qenë e kënaqur ta shikonte dhe do kishin kaluar një mbrëmje të bukur bashkë.

Mbylli me nxitim zyrën, shkoi tek makina dhe u zhyt në trafikun e mbrëmjes, drejtuar për në Liverpool. Fatmirësisht i kapi disa semaforë jeshilë dhe shumë shpejt u gjet në errësirë duke vrapuar drejt perëndimit, me vetëm ndonjë makinë që e kryqëzonte në autostradën e errët. Ngau më shpejt se zakonisht, por gjithmonë duke respektuar kufijtë e shpejtësisë siç e kishte zakon, dhe pas pak pa e kuptuar doli nga nata dhe hyri në qytezën bregdetare.

Lagjja elegante rezidenciale në të cilën jetonte Cynthia ishte e zhytur në gjelbërimin e një parku të krijuar posaçërisht, me pemë që rriteshin shpejt, shtretër lulesh shumëngjyrash dhe livadhe alla angleze të kositura përditë. Ishte një zonë e re, në të cilën apartamentet e rafinuara ishin koordinuar mirë me peisazhin. McKintock la makinën në hapësirën e parkimit në shërbim të pallatit të vogël ku ishte apartamenti i Cynthias, dhe me hapa të mëdhenj arriti tek paneli i zileve. Duke buzëqeshur shtypi ‘Farnham’, dhe priti.

 

Kaloi një minutë e mirë, dhe nuk morri përgjigje.

I mëdyshur, riprovoi.

Pas një gjysmë minuti, një zë vuajtës doli nga altoparlanti.

<Mmh, po? Ç’farë ka? Kush është?>

Ishte Cynthia, por siç nuk e kishte dëgjuar kurrë më parë.

McKintock u shqetësua.

<Jam Lachlan. Më fal për improvizimin, Cynthia, po... nuk je mirë?>

<Jo... jo. Eja lart, Lachlan.> dhe i hapi portën.

McKintock hyri shpejt dhe mbylli derën e hekurt pas krahëve, përshkoi me nxitim rrugicën që të çonte në ndërtesë dhe u fut në hyrje. I errësuar në fytyrë thirri ashensorin; për fat ai ishte tashmë në katin përdhe dhe u hap menjëherë. Shtypi butonin numër katër dhe priti i paduruar të arrinte lart.

Kur dera e rrëshqitshme u hap, doli dhe u kthye djathtas, duke u gjendur përballë derës së blinduar të apartamentit të Cynthia-s.

Ishte gjysmë e mbyllur. E shtyu me kujdes dhe i çuditur pa që apartamenti ishte plotësisht në errësirë. Kërkoi çelësin por një zë e ndaloi.

<Mbylle derën dhe mos e ndiz dritën, të lutem.> ishte ajo, me të njëjtin timbër vuajtës si më parë.

McKintock mbylli me kujdes derën dhe u gjend në errësirën më totale.

<Cynthia, po ç’farë...>

<Kam dhimbje koke, Lachlan. Një dhimbje koke të tmerrshme, dhe nuk mund të shikoj dritë.>

<Uh... ah... ehm... ç’farë mund të bëj? Do të doja të të afrohesha...> belbëzoi i çorientuar.

<Apartamentin e njeh. Përpiqu të arrish këtu, por mos e ndiz dritën!> përfundoi ajo ankueshëm.

<Oh... eh... në rregull. Po e provoj.>

Sytë e tij po mësoheshin në errësirë dhe McKintock përparoi ngadalësisht, një hap pas tjetrit dhe duke prekur murin, drejt sallonit. Zëri i Cynthias vinte nga aty. Ishin gjashtë ose shtatë metra, por në errësirë të plotë ishin si një kilometër. Në mes të rrugës McKintock u ndje pak më i sigurtë dhe shpejtoi, por menjëherë dora që prekte murin preku një zbukurim tavoline. Ajo ra rëndshëm në dysheme me një zhurmë të fortë dhe rrotulluese.

<Aaaaah!> u ankua Cynthia e mbytur nga dhimbja.

<Dreqi ta...> shpërtheu McKintock, duke u paralizuar.

<Edhe zhurmat më bëjnë të ndihem keq! Ki kujdes!> bërtiti ajo me dhimbje.

McKintock ishte ujë në djersë. Nuk gjeti zgjidhje tjetër veçse të ulej përtokë dhe të ecte ashtu, mbi gjunjë, drejt zërit.

Duke e prekur, vuri re se objekti i rrëzuar ishte një statujë e fortë ebaniti që tregonte një luftëtar afrikan të armatosur me shigjetë. Shpresoi të mos ishte thyer; do t’i kishte ardhur shumë keq ti bënte një dëm Cynthias.

<Pothuajse erdha.> përparoi edhe pak, dhe qe në destinacion.

<Ja. E dashur, si je?> e pyeti duke u mbledhur afër divanit mbi të cilin Cynthia ishte shtrirë.

<Mmh, jam keq.> u përgjigj ajo me zë qarës. <Jam keq, jam shumë keq...>

Ai i kërkoi dorën dhe ia morri me delikatesë.

<Më vjen keq. Po ta kisha ditur ... po ta kisha imagjinuar... më vjen keq.> ishte i penduar siç nuk kishte qenë ndonjëherë në jetën e tij. Të paktën, jo për një situatë të tillë. <Po... sa kohë ke sëmurë? Nuk të kam parë kurrë kështu.>

<Fol me zë të ulët, të lutem.> e paralajmëroi Cynthia me zë të dobët.

<Oh, më fal.> pëshpëriti shpejt McKintock. <Më fal, e dashur. Atëhere, ç’farë po të ndodh?>

<Ndodh që kam dhimbje koke, nuk e shikon?> foli e këputur. Ishte keq, ishte evidente, dhe reagimet e saj ishin të ndryshueshme.

McKintock preferoi të qëndronte në qetësi për pak, derisa ajo të qetësohej.

Ndenji kështu pesë minuta të mira, pastaj me zë të ulët u përpoq të komunikonte.

<Mund të më thuash diçka?>

<Sapo u ktheva nga puna më filloi kjo dhimbje koke.> iu përgjigj ajo me siklet, duke belbëzuar. <Nuk di as sa është ora...>

<Është tetë.> e informoi me zë të ulët McKintock, pasi i hodhi në sy orës me katrorë fosforeshentë.

<Atëherë ka dy orë që jam sëmurë.>

<Ke ngrënë?>

<Jo. Kur jam kështu nuk mund të ha. Do të më vinte të përzierë dhe do të villja gjithçka. Kam edhe një dhimbje të fortë stomaku. Vuaj nga migrena. Ky është problemi im. Ashtu siç edhe problem i shumë grave.>

McKintock ishte zemërthyer. Kishte qëlluar atje pikërisht në momentin më të vështirë, e kishte shqetësuar dhe bërë të vuante akoma më shumë, me gjithë rrëmujën që kishte shkaktuar, dhe tani nuk dinte minimalisht si të bënte për ta ndihmuar.

<Ç’farë mund të bëj për ty, që të jesh më mirë?> guxoi. <Ke pirë ndonjë gjë? Nuk e di, ndonjë ilaç, ndonjë analgjezik... Diçka që pihet në këto raste?>

Cynthia u përcoll dhe pastaj u kollit me zhurmë, duke mbajtur stomakun me një dorë.

<Po, kam pirë të vetmin ilaç që zakonisht bën ndopak efekt, por menjëherë e volla, prandaj është sikur të mos kem pirë asgjë.> U kollit përsëri, sikur ti vinte përsëri për të vjellë. <Dhe nuk mund të pi më asgjë. Mos më fol më për të kapërdirë në stomak diçka!> përfundoi me ankesa dhe pak e inatosur.

<Jo, në rregull, në rregull.> miratoi McKintock i tronditur. I përkulur atje në tokë, me kostumin e shtrenjtë të shtrënguar dhe të katandisur si një leckë, u kujtua që kishte uri. Kishte programuar të darkonte me të, por kjo gjë tashmë ishte e pamundur, duke parë situatën. Ç’farë mund të bënte? Tentoi për një kompromis.

<Dëgjo, e dashur, nëse të marr në krahë me ngadalë dhe të vendos në krevat, është mirë për ty? Të mbyll derën e dhomës dhe ti rri në errësirë dhe pa zhurma që të shqetësojnë, kështu do jesh e qetë dhe sigurisht më rehat sesa në divan. Si thua?> përfundoi bindës me zë të ulët.

<Mmh, në rregull.> pranoi Cynthia me një pëshpërimë. <Po ti, përse nuk do të rrish me mua?> e pyeti vuajtëse.

<Ehm... jo se nuk dua të rri me ty. Erdha enkas për të të takuar. Çështja është që po vij direkt nga Universiteti dhe nuk kam ngrënë, prandaj doja të shkoja në kuzhinë dhe...>

<Aaaaah! Mos më fol për ushqim! Ta kisha thënë!> dhe u kollit sërish sikur të ishte duke vjellë.

<Më fal, më fal, po... si mund të të shpjegoja gjërat nëse nuk do të thoja si ishte situata dhe...> pushoi papritur, i penduar, dhe priti që ngarja e kollës ti kalonte. Pas pak ajo u qetësua, atëherë McKintock pa humbur kohë e morri në krahë dhe në errësirë me të cilën tashmë ishte përshtatur e çoi në dhomë. E mbështeti me delikatesë mbi krevat dhe e mbuloi me një mbulesë të marrë nga dollapi. Ajo mugëtiu një <Mmh...> dhe mbështeti një dorë mbi ball. McKintock i përkëdheli dorën dhe doli, duke mbyllur derën pa bërë zhurëm.

Ndezi dritën e korridorit dhe qëndroi menjëherë i përkulur. Bebet i ishin zmadhuar në maksimum gjatë gjithë asaj kohe në errësirë, dhe tani një sasi e ekzagjeruar drite kishte mbërritur në kohë tek retinat e tij para sesa bebet e syrit të merrnin urdhrin të shtrëngoheshin dhe ta vinin në praktikë. Shtrëngoi sytë disa herë dhe shumë shpejt filloi të shikonte normalisht. Para së gjithash shkoi të ngrinte statujën e rënë. Verifikoi në ç’farë gjendjeje ndodhej dhe u çlirua që e gjeti në mënyrë perfekte të plotë. Me delikatesë e vendosi mbi raftin ku e kishte vendin dhe më në fund u zhvendos në kuzhinë. Mbylli derën për të izoluar më tepër zhurmat e mundshme në lidhje me dhomën e gjumit, pastaj me lëvizje të ngadalta dhe të qeta hapi sirtarët e shumtë dhe shtroi tavolinën për vete.

Kishte vërtet një uri të madhe.

Hapi frigoriferin dhe kërkoi një birrë. Fatmirësisht kishte disa shishe, një e markës së tij të preferuar dhe një tjetër, që pëlqente Cynthia. Morri të përzgjedhurën e tij dhe zbrazi menjëherë një gotë të madhe nga e cila piu një gllënjkë të madhe të bollshme. Në çast u ndje i rifreskuar, pastaj hoqi xhaketën dhe e mbështeti mbi mbështetësen e një karrigeje. Hapi sërish frigoriferin në kërkim të diçkaje për të ngrënë. Nuk kishte shumë. Cynthia hante pak për të qëndruar në formë, dhe ato që hante ishin për më tepër ushqime të shëndetshme, me pak yndyrna dhe tendencë ndaj vegjetarizmit.