Read the book: «Luftërat E Napleonit»
Një rast për lavdi
Një histori e shkurtër e luftërave Napoleonike
1803-1815
History Nerds & Aleksa Vučković
Tranlated by Aurel Manushi
Hyrje
Revolucioni Francez i fundviteve 1790 ishte një nga ngjarjet më kritike në historinë e Evropës. Ishte momenti përcaktues – një rrëshqitje historike e tokës, e cila e çoi botën në një epokë të re, krejtësisht të ndryshme. Mjerisht, të tilla ndryshime vijnë gjithmonë me një çmim të lartë. Fill pas Revolucionit pasuan një sërë konfliktesh në shkallë të gjerë, të cilat kolektivisht njihen si Luftërat Napoleonike. Madhësia dhe egërsia e tyre, si dhe humbja e jetëve që shkaktuan ishin të pashembullta deri në atë kohë, dhe ato i treguan botës vëzhguese se ndryshimi i historisë njëmijëvjeçare mund të jetë brutal, i mbrapshtë dhe i trazuar.
Në fillim të viteve 1800 po bëhej e qartë se Luftërat Napoleonike ishin ndryshe nga çdo gjë që bota kishte përjetuar ndonjëherë. Në shumë aspekte, këto konflikte e tejkaluan Luftën Tridhjetëvjeçare të mesviteve 1600. Ato ishin luftëra të shkallës së madhe, të taktikave dhe strategjisë. Luftëra të guximit dhe bixhozit – të gjeneralëve dhe perandorëve. Këto luftëra ishin shkëndija përfundimtare, flakëruese e një Evrope që ndryshon me shpejtësi – konflikti i fundit para ardhjes së një epoke të re: të industrisë, rënies së monarkisë dhe Luftërave Botërore. Sidoqoftë, ato lanë një gjurmë të konsiderueshme në botë siç e njohim ne, duke krijuar bazën për gjëra më të mëdha që do të vijnë – duke fshirë brezat në udhë e sipër.
Dhe siç është rasti me çdo konflikt global në shkallë të gjerë, Luftërat Napoleonike ishin rezultat i pashmangshëm i ngritjes së një sundimtari të fuqishëm në pushtet – dhe dëshira e tij për gjithnjë e më shumë. Napoleon Bonaparti ishte sundimtari në fjalë këtu. I adhuruar nga shumë, dhe i përbuzur nga akoma më shumë, Napoleoni ushtroi ndikimin e tij në pjesën më të madhe të Evropës, duke vendosur një zotërim të shkurtër, por vendimtar francez mbi kontinentin.
Bonaparti lindi në Korsikë, në një familje të fisnikërisë së vogël italiane, që e kishte origjinën në Toskanë. Duke qenë një bixhozxhi i aftë dhe oportunist, Napoleoni u ngrit në radhët ushtarake, i shtyrë nga etja për pushtet dhe ndikim. Ai erdhi në pushtet fill pas Revolucionit Francez dhe vendosi një diktaturë ushtarake në një komb tashmë të paqëndrueshëm e kaotik. Megjithatë, edhe kështu, ai arriti të rivendosë stabilitetin, të ringjallë financat e tij, të krijojë një burokraci të varur dhe të ngrejë një ushtri të fuqishme – të gjitha këto në një kohë të shkurtër. Shkathtësia dhe guximi i tij e bënë atë të nderohet dhe respektohet nga disa. Por shkatërrimi, në të cilin e zhyti Evropën, e bëri atë të urrehej nga shumica. Historia e Luftërave Napoleonike është historia e tragjedisë së Evropës: e luftërave mes vëllezërve dhe e gjakut të derdhur kot. Historia e Napoleonit është po ajo histori e miliona njerëzve që vdiqën për shkak të tij. Bashkohuni me ne ndërsa nisim një udhëtim dramatik të një epoke të kaluar, një udhëtim nëpër tym baruti dhe sulmesh të kalorësisë së lavdishme!
Kapitulli I
Ngritja e Gjigandit
Historiku dhe Preludi i Luftërave Napoleonike
Revolucioni Francez ishte padyshim ngjarja më kritike që i parapriu fillimit të Luftërave Napoleonike. Kjo periudhë e tronditi Evropën në një mënyrë që nuk ishte parë dhe ndjerë për më shumë se një shekull, dhe përgatiti rrugën për një luftë për të tejkaluar gjithçka që vinte para saj. Aty nga viti 1787, Evropa përjetoi një luftë komplekse dhe të përhapur politike e socio-ekonomike, kurse Revolucioni Francez luajti rolin kryesor brenda saj. Në një kohë me Revolucionin, një seri aleancash diplomatike dhe niveleve të ndryshueshëm të pushtetit midis shteteve kryesore evropiane sollën një përkeqësim të shpejtë midis fuqive kryesore dhe e çuan kontinentin drejt një konflikti të afërt. Austria dhe Prusia arritën një aleancë diplomatike të befasishme; kurse në Lindje, Rusia po bëhej gjithnjë e më e fuqishme dhe e vazhdoi zgjerimin e saj të qëndrueshëm. Sidoqoftë, ky zgjerim shkaktoi mosmiratim në rritje nga dy fqinjët kryesorë të Rusisë – Turqia dhe Polonia, në kurriz të të cilave vazhdoi zgjerimi. Kjo u përshkallëzua në Luftën Ruso-Turke të vitit 1787, një konflikt që zgjati deri në vitin 1792 – i gjithi në favor të Rusisë. Në fakt, më parë turqit osmanë dhe rusët kishin zhvilluar një sërë luftrash: kësaj here, osmanët filluan një konflikt në mënyrë që të rimarrin territoret e humbura nga rusët. Përpjekja e tyre ishte një dështim përfundimtar dhe shërbeu vetëm për të forcuar Rusinë, për të forcuar kufijtë e saj dhe për t’i dhënë asaj një pozicion të fortë në Detin e Zi.
Nga ana tjetër, Rusia përjetoi tensione në rritje me Poloninë – me të cilën ata kishin sërish një histori të gjatë pakënaqësie. Mbreti polak dhe Duka i Madh i Lituanisë, Stanisłav August Poniatovski (Stanislaus II Augustus), po e fuqizonte me shpejtësi shtetin polak me anë të një sërë reformash. Duke vepruar kështu, ai po vepronte kundër dëshirave dhe synimeve të perandores së Rusisë, Katerinës së Madhe, i dashuri i së cilës kishte qenë dikur. Gjithashtu, në radhë të parë, është ajo që e ndihmoi Poniatovskin të hipte në fronin polak. Sidoqoftë, fuqia në rritje dhe pavarësia e Polonisë u pa si një pengesë e mundshme për zgjerimin dhe fuqinë ruse. Poniatovski e dinte se do të kishte nevojë për aleatë në mënyrë që të mbante atë kurs të ri e të qëndrueshëm dhe i hodhi sytë drejt aleatit të tij tradicional – Francës. Sidoqoftë, Revolucioni Francez po fillonte në vitin 1792 dhe Polonia nuk mund të mbështetej në asnjë mënyrë në ndihmën e Francës. Kështu, në vitin 1792, duke kontribuar në kaosin e përgjithshëm në rritje në Evropë, Rusia pushtoi Poloninë, duke çuar në Luftën Polako-Ruse të vitit 1792, e cila zgjati afërsisht 2 muaj dhe çoi në Ndarjen e Dytë të Polonisë në vitin 1793, përmes së cilës kjo e fundit humbi shumë territore. Aty nga viti 1795 dhe pas Ndarjes së Tretë, Komonuelthi Polako-Lituanez pushoi së ekzistuari, ashtu si edhe shtetet sovrane të Polonisë dhe Lituanisë. Sigurisht, e gjithë kjo nënkuptonte që Rusia fitoi shumë më tepër territor dhe pushtet.
Në Francë, gjërat po dukeshin gjithnjë e më të tmerrshme. Monarkia franceze, e ashtuquajtura Ancien Régime (Regjimi i Vjetër), ishte regjimi politik dhe shoqëror në Francë për disa shekuj deri në atë pikë, por ajo filloi të dështonte në disa pika kyçe. Në vitet 1780, Regjimi i Vjetër u bë jashtëzakonisht jopopullor mes njerëzve të thjeshtë francezë, madje ai urrehej haptas. Në atë kohë, Franca vuante nga një sërë vështirësish ekonomike, edhe pse ishte një nga kombet më të pasura evropiane. Sidoqoftë, pasuria nuk ishte për të gjithë: shumica e saj ishte e rezervuar për fisnikërinë dhe oborrin e monarkisë franceze. Faktorët më të mëdhenj të kësaj periudhe paqëndrueshmërie ishin pabarazia sociale dhe taksimi. Kjo do të thoshte që si klasa e ulët fshatare ashtu dhe borgjezia e shtresës së mesme dhe të lartë, të gjithë përballeshin me taksa jashtëzakonisht të larta, shumica e të cilave shkonin te fisnikët e pasur në mënyrë të paimagjinueshme, të cilët vazhdonin kështu jetesën e tyre të harlisur dhe hedoniste.
Kështu, nga viti në vit, nga taksa në taksë, aristokratët dhe gjykata e Regjimit të Vjetër po bëheshin gjithnjë e më jopopullorë dhe po përballeshin me shumicën e kombit francez, si kundërshtari i tyre në rritje. Një ndryshim gradual në shoqërinë franceze i ndau qartë këto klasa shoqërore: tregtarët dhe fermerët, tregtarët e klasës së mesme ambicioze dhe të suksesshme, së bashku me fshatarët, punëtorët dhe dijetarët e keqtrajtuar, të gjithë u përballën me të njëjtën gjendje dhe të njëjtën shtypje nga fisnikëria. Gjithashtu, ngritja e filozofëve francezë dhe atyre të tjerë evropianë, shumë prej të cilëve paraqitën ide të iluminizmit, teorisë shoqërore, barazisë dhe lirisë së individit, i dha një këndvështrim të ri njeriut të thjeshtë, një ndjenjë të re dhe në rritje të lirisë së perceptuar prej tij.
Dhe, kur Franca nuk ishte në gjendje të financonte në mënyrë efektive borxhin e saj qeveritar, pasoi një depresion ekonomik, duke sjellë me vete çmime të larta të ushqimit, papunësi të përhapur dhe një krizë në zhvillim që mbreti francez Luigji XVI nuk mund ta përmbante.
Luigji XVI po bëhej gjithnjë e më i paaftë dhe i urryer. Në skenën politike, ai vazhdimisht refuzonte të sundonte si monark kushtetues, d.m.th. duke ushtruar autoritet në përputhje me një kushtetutë të shkruar (ose të pashkruar). Ai e vazhdoi sundimin e tij si një monark absolut, duke e vazhduar atë formë të qeverisjes në Francë prej më shumë se një mijë vjetësh.
Pakënaqësia e popullit francez u përhap në vitin 1789, duke shënuar fillimin e Revolucionit Francez dhe një periudhë kaosi në Francë, e cila do të zgjaste përafërsisht 10 vjet. Një nga ngjarjet ikonike të vitit të pashmangshëm 1789 është Marrja e Bastijës, e cila shfaqi në mënyrë të përsosur rritjen e kaosit dhe shkallën e zemërimit të popullit francez. Rënia e fortesës mbretërore të Bastijës para masave të tërbuara u pa si një fitore e madhe dhe simbolike. Dita e Bastijës festohet edhe sot.
Nga shtatori i vitit 1792, pas disa shekujsh sundimi mbi Francën, u shfuqizua Regjimi i Vjetër. Më 22 Shtator 1792, u shpall Republika e Parë Franceze dhe në vitin 1793, Luigji XVI u ekzekutua në gijotinë. Vdekja e tij u pa si një pikë kthese historike si në historinë e Francës ashtu edhe të Evropës. Sidoqoftë, e gjithë kjo trazirë kaotike në Francë pa ngritjen e një individi të fuqishëm – Napoleonit.
Lindur në 1769 në Korsikë, në një familje të fisnikërisë së vogël korsikane, që e kishte origjinën në Italinë qendrore, Napoleon Bonaparti u ngrit në radhët e ushtrisë dhe përdori Revolucionin Francez si një shkallë të vërtetë drejt pushtetit. Nga familja e tij në Korsikë, ai filloi një karrierë ushtarake, duke studiuar dhe u trajnuar në Akademinë Ushtarake në Brienë, dhe më pas në Shkollën Ushtarake në Paris, ku fitoi një komision në artileri aty nga viti 1785. Gjatë rinisë së tij, ai u frymëzua nga filozofitë bashkëkohore të iluminizmit, patriotizmit dhe reformës socio-politike. Gjithashtu, ai mori një frymëzim të madh dhe u identifikua me Aleksandrin e Madh. Shumë historianë e përshkruajnë Napoleonin si figura e një të huaji, një person që shpesh ndodhej në skajet e shoqërisë franceze, me një prirje për dhunë, zhgënjim dhe zotërim. Lindur si një fëmijë i katërt dhe një djalë i tretë, ai ndoshta i fitoi këto tipare për shkak të konkurrencës me vëllezërit e motrat e tij dhe një edukimi të rreptë.
Karakteri i tij shquhej gjithashtu – ndoshta më e rëndësishmja – nga një oportunizëm i pamasë. Kur erdhi në pushtet, Napoleoni nuk do të ngurronte të kënaqte shtysën e tij të pamasë për pushtet në kurriz të familjes së tij – nëse ata nuk arrinin t’i shërbenin interesave të tij dhe pushtetit politik.
Napoleoni i ri u diplomua në vitin 1785, dhe kjo shënon përparimin e tij të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt pushtetit. I udhëhequr nga dëshira e tij e pangopur për pushtet dhe komandë, ai u ngrit në radhët e ushtrisë dhe fitoi komandën mjaft herët në karrierën e tij. Para fillimit të Revolucionit në vitin 1789, ai shërbeu si toger i dytë në një regjiment artilerie. Sidoqoftë, i ushqyer nga krenaria e tij e fortë korsikane dhe ndjenja e përkatësisë, ai ushqente krenari të fortë patriotike dhe kështu përfundoi në Korsikë, duke kryer shërbimin në konfliktin që po vazhdonte atje. Por, ndërsa Revolucioni Francez përparonte, ai e zhvendosi vëmendjen e tij edhe drejt Francës kontinentale dhe çështjeve atje.
Në vitin 1792, ai u gradua kapiten në ushtrinë franceze, duke komanduar një batalion trupash vullnetare, pasi filloi periudha e konflikteve evropiane, të njohura si Luftërat Revolucionare Franceze. Në këto konflikte, Napoleoni fitoi kontrollin mbi Ushtrinë Franceze të Italisë, duke e komanduar atë në fushatat në Itali. Zotësia e tij si komandant ushtarak dhe strateg u njoh shpejt në këtë fushatë, ku ai arriti të largonte ushtrinë Piemonte nga konflikti në vetëm dy javë, pas një sërë fitoresh verbuese.
Gjatë Luftërave Revolucionare Franceze, dhe Fushatës Italiane në veçanti, Napoleoni e përsosi shumë aftësinë e vet për konfliktet e ardhshme. Ai u mbështet në taktikat e reja dhe të guximshme ushtarake dhe përdori një grup strategjish të papara ndonjëherë. Si një i diplomuar në shkollat ushtarake, Napoleoni zbatoi me zotësi ide tradicionale në situata dinamike të botës reale. Një nga qasjet e tij të markës tregtare ndaj luftimit ishte përdorimi i artilerisë në një rol shumë të lëvizshëm, e cila u përdor në mbështetje të këmbësorisë së tij. Ai u mbështet edhe në maskimin e aftë të vendosjes së trupave të tij në fushën e betejës, dhe i vuri theksin rrethimit me krahëmarrje të forcës armike.
Për Francën, Fushata Italiane në Luftërat Revolucionare ishte një sukses i madh, por ishte gjithashtu shumë i rëndësishëm si një mbështetje për Napoleonin. Gjatë kësaj periudhe, ai u bë një figurë me shumë ndikim në politikën franceze dhe shfrytëzoi rastin të përdorë aftësitë e tij të propagandës dhe manipulimit, të cilat ishin një pjesë e madhe e personalitetit të tij oportunist.
Më në fund, gjatë fushatës në Itali mund të hedhim një vështrim të shkurtër të natyrës së vërtetë të ngritjes në pushtet të Napoleonit dhe ngasjes së tij të pangopur: gjatë veprimeve luftarake, ai “plaçkiti” një sasi të madhe fondesh nga Italia – rreth 45 milion dollarë në fonde, dhe 12 milion dollarë të tjerë në metale të çmuar dhe bizhuteri. Më pas në sferat politike të Francës, kundërshtarët e tij e akuzuan për pretendime diktatoriale. Gjatë gjithë kohës, Napoleoni qarkulloi gazetat e tij propagandistike, si në Francë ashtu edhe mes trupave të tij në fushëbetejë.
Në shumë pikëpamje, ngritja e Napoleonit ishte jashtëzakonisht e shpejtë. Pas grushtit të guximshëm të shtetit, i njohur si Grushti i 18 Brymerit, Napoleoni mori pushtetin në Francë dhe themeloi një Konsullatë, duke u bërë vetë Konsulli i Parë. Ky veprim ishte pika e kthesës de fakto e ngritjes së tij, duke e kthyer Francën në një diktaturë. Është e rëndësishme të kujtojmë se pas ngjarjeve të Revolucionit Francez, kur Napoleoni erdhi në pushtet në Francë, kombi ishte në një pështjellim të madh. Sidoqoftë, ai arriti sërish të riorganizojë ushtrinë, të stabilizojë ekonominë dhe të krijojë një komb të qëndrueshëm. Ai e vuri qartë theksin në një ushtri të riorganizuar dhe të forcuar dhe shumë shpejt Franca arriti të kishte një numër të madh njerëzish dhe rezervash.
Pas të ashtuquajturit Traktati i Amienit për Luftërave Revolucionare Franceze, tensionet midis Britanisë dhe Francës vazhduan të ishin në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave. Duke qenë i guximshëm dhe vendimtar, Napoleoni oportunist kishte aneksuar rajonet italiane të Elbës dhe Piemontes, dhe gjithashtu e shpalli veten President të Republikës Italiane, një shtet kukull i krijuar nga Franca. Për më tepër, ai nuk arriti të përmbushë disa nga aspektet që ishin vendosur më parë në Traktatin e Amienit.
Një nga faktorë kryesorë ku përqendrohej përkeqësimi i marrëdhënieve anglo-franceze të periudhës ishte tregtia. Ky ishte një nga shkaqet për ekspeditën e dështuar të Napoleonit në Egjipt dhe Siri në vitin 1798, përmes së cilës ai u përpoq të dobësonte rrugët tregtare të Britanisë drejt Indisë dhe gjithashtu të forconte interesat tregtare franceze. Me një disfatë dërrmuese që pësoi në Betejën e Nilit me marinën britanike dhe me humbjen në Betejën e Aleksandrisë, fushata e shkurtër egjiptiane e Napoleonit përfundoi pa sukses.
Malta ishte një pikë tjetër pakënaqësie midis dy fuqive. Traktati i Amienit u përqendrua veçanërisht në këtë ishull, i cili u pushtua nga britanikët gjatë Luftërave Revolucionare Franceze. Destabilizimi i mëtejshëm u shkaktua nga pushtimi francez i Zvicrës në vitin 1798, me të cilin Napoleoni u përpoq të impononte autoritetin qendror mbi atë komb. Konfederata tradicionale zvicerane e kantoneve vetëqeverisëse u shpërbë dhe, në vend të kësaj, Napoleoni krijoi një shtet aleat (kukull) të Republikës Helvetike. Ndryshimi u prit me zemërim të madh në Zvicër dhe shumë shpejt në të gjithë vendin filluan konflikte të dhunshme. Britanikët i panë këto veprime si një shkelje tjetër dhe veprimet e Napoleonit në Zvicër shkaktuan një zemërim të gjerë.
Në fillim të vitit 1803, tensionet midis Francës dhe Anglisë po arrinin kulmin e të gjitha kohërave. Rusia në atë kohë dha garancitë e saj për mbështetjen e çështjes britanike në Maltë, ndërsa kjo e fundit dyshoi për një pushtim të ri francez të Egjiptit. Kjo buroi nga një letër qeveritare, e cila u botua si një raport në Francë, duke deklaruar se Egjipti mund të pushtohet me lehtësi. Për shkak të këtij informacioni, britanikët kërkuan “kënaqësi” dhe një siguri nga Franca për qëllimet e tyre. Kjo lidhej drejtpërdrejt me evakuimin britanik nga Malta, i cili mund të përdorej si një “stacion kalimi” dhe një mbështetje drejt Egjiptit. Franca mohoi çdo qëllim për të pushtuar Egjiptin.
Me dështimin e britanikëve për të evakuuar Maltën dhe ultimatumin që lëshuan ndaj Francës, tensionet arritën në një pikë kritike. Ultimatumi kërkoi mbajtjen e Maltës për të paktën dhjetë vjet të tjera, si dhe blerjen e ishullit Lampeduza dhe francezëve për të evakuuar Hollandën. Britanikët ofruan të njohin fitimet e Francës në Itali, me kusht që ata të largohen nga Zvicra dhe të kompensojnë mbretin e Sardenjës për humbjet e tij territoriale. Në përgjigje të këtij ultimatumi, Franca u përpoq të qetësonte britanikët: ata bënë një ofertë për të vendosur Maltën në duart e Rusisë, për t’u dhënë britanikëve kënaqësinë që kërkonin, dhe gjithashtu për t’u larguar nga Hollanda pasi Malta të evakuohej. Britanikët gabimisht e mohuan ofertën ruse të bërë më parë, dhe ambasadori i tyre u largua me ngut nga Parisi. Napoleoni po investonte ende për të shmangur një konflikt dhe luftë tjetër dhe kështu u propozoi britanikëve një ofertë të fshehtë, me të cilën do t’i lejonte ata të qëndronin në Maltë në këmbim të pushtimit francez të gadishullit të Otrantos në Napoli. Oferta nuk u përfill, dhe të gjitha përpjekjet e Napoleonit për të shmangur një luftë të re ishin të kota – Më 18 maj 1803, britanikët i shpallën luftë Francës.
Është e rëndësishme të theksohet në këtë fazë që datat e sakta në lidhje me Luftërat Revolucionare Franceze dhe Luftërat Napoleonike janë të pasigurta dhe të debatuara – nuk ka një datë të pranuar se ku mbaroi njëra dhe filloi tjetra. Disa historianë propozojnë që Luftërat Napoleonike të fillojnë në ditën kur Napoleoni mori pushtetin si konsull, më 9 nëntor 1799, pas grushtit të shtetit. Është e vërtetë që gjendja e luftës ekzistonte për disa vjet, para asaj që zyrtarisht konsiderohet si fillimi i Luftërave Napoleonike. Këto njihen sot si Luftërat Revolucionare Franceze, konflikti evropian që u shfaq si rezultat i Revolucionit Francez dhe kanë zgjatur zyrtarisht nga afërsisht 20 prill 1792 deri më 27 mars 1802. Ai vuri përballë Francën dhe aleatët e saj kundër Rusisë, Prusisë, Perandorisë së Shenjtë Romake, dhe Britanisë, ose i ashtuquajturi Koalicioni i Parë dhe i Dytë. Sidoqoftë, kjo është një temë po aq e shtrirë sa janë edhe vetë Luftërat Napoleonike dhe trajtimi i Luftërave Revolucionare Franceze në detaje të plota nuk është i mundur brenda fushës së këtij libri.
Në lidhje me këto, vlen kjo përmendje pasi shërbeu si një pararendës i shkëlqyer i një konflikti edhe më të madh që pasoi (Luftërat Napoleonike) dhe gjithashtu si një periudhë vendimtare formuese e Napoleon Bonapartit si një figurë politike, udhëheqës, strateg ushtarak dhe sundimtar. Kështu ne përfundojmë pasqyrën e përgjithshme të sfondit dhe preludeve të Luftërave Napoleonike, të cilat zgjatën nga 18 maj 1803 deri në 20 nëntor 1813.
The free excerpt has ended.